Sunday, December 23, 2012

Federata Serbe e futbollit merr ne dore "Jeten Sportive te Kosoves "

Federata Serbe e Futbollit e ka marrë me gëzim lajmin e fundit nga FIFA, e cila i autorizoi serbët që ta lejojnë apo jo përfaqësuesen e të rinjve të Kosovës të luajë në territorin e Kosovës. Krerët e futbollit serb kërkojnë nga pala kosovare që t’i pyesë ata për miqësoret, derisa konfirmon kundërshtimin e fuqishëm për anëtarësim të FFK-së në FIFA e UEFA.


Bordi Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Serbisë (FFS) e ka mbajtur të shtunën mbledhjen e vet të fundit për këtë vit, ndërsa temë qendrore e kishte vendimin e fundit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s në lidhje me ndeshjet miqësore ndërkombëtare të përfaqësueses së Kosovës për të rinj.

Anëtarët e Bordit Ekzekutiv janë informuar nga kryetari i FSS-së, Tomislav Karadzic, rreth më të rejave, respektivisht për letrën e pranuar nga FIFA, e cila e ka autorizuar vendin fqinj që ta lejojë ose jo Kosovën për zhvillimin e ndeshjeve miqësore në territorin e Kosovës.

“E ashtuquajtura FFK ende nuk është anëtare e UEFA-s e as FIFA-s dhe përfaqësuesja e Kosovës nuk ka të drejtë të zhvillojë ndeshje miqësore. Ndër të tjera, për çdo lojë që duan ta zhvillojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, janë të obliguar të diskutojnë me Bordin Ekzekutiv të Federatës tonë. Disa ndeshje do të luhen jashtë me kategori të reja, me femra dhe ekipe, por nuk do të kenë të drejtë përdorimin e karakteristikave kombëtare”, shkruan në ueb faqen zyrtare të FSS-së.

Serbët: S’do ta lejojmë Kosovën të hyjë në FIFA

 

Ndërkohë, serbët e kanë konfirmuar edhe njëherë kundërshtimin e tyre të ashpër për pranim të FFK-së në FIFA e UEFA, të paktën derisa Kosova nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Federata serbe do të vazhdojë t’i përdorë të gjitha mjetet legjitime dhe legale për ta luftuar ruajtjen dhe respektimin në përputhje me parimet themelore dhe statusin e UEFA-s dhe FIFA-s dhe në pengimin e anëtarësimit të FFK-së në këto institucione, për faktin se Kosova nuk është anëtare e OKB-së”, vazhdon konkluzioni i nxjerrë të shtunën nga pala serbe.

Në mes të janarit, presidenti i FSS-së, Tomislav Karadzic dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Zoran Lakovic, do ta zhvillojnë një takim me autoritetet e FIFA-s dhe UEFA-s, ku do të bisedojnë rreth çështjes së Kosovës.

No comments:

Post a Comment